Parimet për optimizimin e sistemeve energjetike në industri

“Siç dëshmohet nga futja e programeve nacionale dhe ndërkombëtare, masat e optimizimit të sistemeve mund të arrijnë fitim mesatar të efikasitetit prej 20 deri në 30 për qind, me periudhën e pagesës më pak se dy vjet.”

Optimizimi i sistemeve energjetike, në përputhje me standardin ISO 50001, përfshin qasje sistematike, holistike, multidisiplinare me një qëllim të vetëm – reduktimin e konsumit të energjisë në minimum, arritjen e kursimeve energjetike dhe të shpenzimeve, zvogëlimin e emisioneve të gazrave serë dhe karbonit. Optimizimi i sistemeve energjetike ndihmon organizatat, institucionet dhe ndërmarrjet e tëra (në sektorin publik dhe privat) për të përmirësuar efikasitetin e tyre energjetik dhe kështu, të rrisin fitimet, të minimizojnë ndikimin në mjedisin jetësor dhe të ulin varësinë e tyre energjetike. Kjo i ndihmon ndërmarrjet të përballen me paqëndrueshmërinë e çmimit të energjisë, duke kontribuar kështu në fleksibilitetin dhe përshtatjen e tyre ndaj indikatorëve të paqëndrueshëm të tregut.

Pse në përgjithësi të optimizohet sistemi? Procesi i optimizimit të sistemeve energjetike, në vetvete, u ofron inxhinierëve një njohje të hollësishme të indikatorëve sistematikë, duke u mundësuar që të arrijnë efikasitet, kursime energjetike dhe të shpenzimeve, si dhe qëndrueshmëri. Zëvendësimi i komponentëve të sistemit ose zëvendësimi i të gjithë sistemit në tërësi mund të jetë i kushtueshëm dhe të ketë efekte të dëmshme në mjedisin jetësor, duke pasur parasysh mbetjen teknologjike që prodhon. Prandaj, një nga fokuset në optimizimin e sistemeve energjetike ka për qëllim identifikimin e fushave të mundshme për përmirësimin dhe mundësitë për kursimin e energjisë përmes ndryshimeve të thjeshta në regjimin operativ ose regjimin e mirëmbajtjes, në mënyrë që të arrihet zgjidhja optimale; ose përshtatjet specifike të pajisjeve ekzistuese, përkatësisht futja e masave pa ose me shpenzime të ulëta për të arritur përmirësim të dukshëm në performancën energjetike. Kjo kërkon monitorim të vazhdueshëm të parametrave operativë kryesorë në mënyrë që të përcaktohet nëse sistemi punon në mënyrë optimale dhe kur mund të ndryshojë nën ndikimin e rrethanave të jashtme. Një arsye shtesë për ndjekjen e rregullt është të përcaktohet se cilat masa duhet të ndërmerren kur kriteret nuk plotësohen.

Optimizimi i sistemeve energjetike na mundëson të përfitojmë sa më shumë prej tyre. Në të kaluarën, disenji optimal, regjimi operativ optimal dhe regjimi i mirëmbajtjes ose optimizimit të çdo procesi në një kapacitet të caktuar bazoheshin në përvojën e inxhinierëve dhe personalit. Mungesa e kornizës specifike për zbatimin e çdo ndryshimi në një sistem të caktuar krijon zbrazëtirë të caktuar kur bëhet fjalë për të siguruar punën e lehtë, efikase dhe efektive të sistemit brenda kufizimeve të caktuara. ISO 50001 ofron kornizën për përmirësim, ofron udhëzues, udhëzime për sigurimin e qëndrueshmërisë, megjithatë, konceptet dhe procedurat sistematike, si dhe nevoja për to, mbeten zgjedhja e kompanisë.

Duke pasur parasysh kompleksitetin e proceseve të vazhdueshme që ndodhin në impiant të caktuar, si dhe indikatorët e tyre specifikë, domosdoshmëria për kursimin e energjisë, zvogëlimi i ndikimit në mjedisin jetësor dhe përmirësimi i pamjes së kompanisë, po rritet vazhdimisht. Në sektorin industrial intensiv të energjisë si i yni, përmirësimi i disenjit, performancës dhe efikasitetit të sistemit kërkon qasje sistematike. Është thelbësore që të mbikëqyret sistemi si tërësi në vend që të shqyrtohen komponentët e tij veç e veç. Sistemi vjetrohet siç vjetrohet edhe impianti, bëhet më pak efikas dhe zakonisht, funksionimi i tij kërkon shpenzime më të larta se më parë.

Industria është konsumatori i dytë më i madh i energjisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut pas konsumit të ekonomive familjare. Në vitin 2014, industria arriti deri në 30% të konsumit të fundit të energjisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut ose 515.21 ktoe (NEEAP-ja e tretë). Sektori industrial gjeneron afërsisht 28% të BPV-së nacionale dhe mbulon rreth 30% të fuqisë punëtore. Hekuri dhe çeliku, qelqi dhe materialet e ndërtimit, ushqimi dhe pijet zënë 85% të konsumit të energjisë.

Në vitet e kaluara, disa strategji janë hartuar për t’i kufizuar pasojat e ndikimit negativ të zhvillimit industrial në mjedisin jetësor, gjë që ka çuar në efikasitetin energjetik duke u konsideruar si një nga masat më efektive shpenzuese për t’i zbutur ndryshimet klimatike.

Vlerësohet se, globalisht, industria ka potencial për të përmirësuar efikasitetin energjetik me rreth 20% me shpenzime të pranueshme, përmes prezantimit më të gjerë të praktikave dhe teknologjive më të mira në dispozicion për menaxhim më të mirë të energjisë. Për më tepër, sipas Draft Kornizës për Klimën dhe Energjinë deri në vitin 2030, qëllimi i përmirësimit të efikasitetit energjetik me të paktën 27% duhet të merret parasysh.

Bazuar në përvojat e sektorit industrial, është treguar se një sistem i caktuar mund mos t’i arrijë rezultatet e parashikuara në aspektin e konsumit të energjisë nëse regjimi operativ dhe regjimi i mirëmbajtjes nuk janë përshtatur mirë ose nëse komponentët e sistemit nuk janë të disenjuar dhe nuk funksionojnë të sigurojnë kursime energjetike dhe, bazuar në to, kursimet e shpenzimeve.

Fokusi i UNIDO-së në optimizimin e sistemeve në industri bazohet kryesisht në masat e mësipërme pa ose me shpenzime të ulëta, në mënyrë që të ofrojë qasje tjetër nga ajo standarde e cila bazohet në blerjen e pajisjeve me efikasitet energjetik, që në realitet është shumë më e shtrenjtë.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, optimizimi i sistemeve energjetike mbulon dy fusha tematike – optimizimin e sistemeve të avullit dhe sistemeve të ajrit të kompresuar. Qasja e përdorur nga UNIDO, “trajnimi për trajnuesit”, ka për qëllim pajisjen e ekspertëve lokalë të efikasitetit energjetik në industri me ekspertizën, metodologjitë dhe mjetet e domosdoshme për zhvillimin dhe zbatimin e projekteve dhe praktikave për optimizimin e sistemeve energjetike. Programi rezultoi me 11 ekspertë të certifikuar për optimizimin e sistemeve të avullit nga sektori publik dhe ndërmarrjet shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Moduli i optimizimit të sistemeve të ajrit të kompresuar është ende në vazhdim.