8. Masat e zbatimit me shpenzime të ulëta (për menaxhim “ekonomik“)

Masat e zbatimit me shpenzime të ulëta nënkuptojnë menaxhimin ekonomik të mjeteve të kompanisë suaj, në këtë rast të energjisë. Këto masa bazohen më shumë në arsyen e shëndoshë dhe njohuritë e teknikës dhe teknologjisë sesa në teknologjitë e larta ose ndërhyrjet e mëdha.

Masat e punës ekonomike janë të lehta për t’u zbatuar dhe zakonisht (pothuajse) pa asnjë shpenzim! Periudha e kthimit është jashtëzakonisht e shkurtër dhe kursimet shihen menjëherë. Pengesa kryesore për zbatimin e tyre është më së shpeshti rezistenca ndaj rishqyrtimit të praktikave rrjedhëse për t’i bërë ndryshimet e nevojshme.

Praktika tregon se në shumë ndërmarrje kursimet e energjisë që mund të arrihen vetëm përmes punëve ekonomike përbëjnë 25 deri 50 për qind të potencialit të përgjithshëm të kursimit të energjisë. Potenciali i përgjithshëm për kursimin e energjisë përfshin edhe masa më të shtrenjta dhe ndryshime në infrastrukturën energjetike ose proceset e prodhimit.

Për të përcaktuar nëse organizata juaj mund të zbatojë masa për punën ekonomike, mund t’i bëni vetes pyetjet vijuese për secilën pajisje që përdor energji:

  • A duhet ta përdor këtë pajisje ose sistem?
  • Çfarë mund të bëj për të përdorur më pak energji?
  • A mund të përdor formë më të lirë të energjisë?

Rezultatet e punës ekonomike janë:

  • Eliminimi i konsumit të panevojshëm të energjisë dhe minimizimi i humbjeve energjetike.
  • Zakonisht, gjithashtu, përmirësohen procedurat operative (nga të cilat mund të përfitojnë edhe proceset tuaja të prodhimit).
  • Niveli i optimizuar i prodhimit (rritja e efikasitetit = më pak energji për njësi të produktit).
  • Shpenzimet e zvogëluara të energjisë.