7. Identifikimi i mundësive për përmirësim (lista e punës ER8 Lista e mundësive)

Duhet të bëni regjistër (listë) të të gjitha mundësive ose ideve të kursimit të energjisë. Është e rëndësishme të theksohet se ky regjistër është bazë e gjallë e të dhënave dhe do të vazhdojë të rritet në madhësi. Është mjeti kryesor për përmirësimin e vazhdueshëm brenda SME-së. Kjo metodologji përdor termin Lista e Mundësive Energjetike dhe secila mundësi e identifikuar duhet t’i përmbajë elementet si vijon:

  • Numrin e identifikimit.
  • Përshkrimin e shkurtër. Përshkrimi duhet të jetë sa më konkret që të jetë e mundur dhe të përshkruajë aktivitetin që do të ndërmerret.
  • Resurset ku është identifikuar mundësia, përkatësisht avulli, energjia elektrike, menaxhimi, ajri i kompresuar, etj.
  • Kursimet potenciale të energjisë, paratë, emisionet e karbonit dhe përfitimet e tjera.
  • Personin përgjegjës për përfundimin e aktivitetit.
  • Statusi i mundësisë, përkatësisht ideja, e aprovuar, e anuluar, e shtyrë, në zbatim, e kompletuar, e përfunduar.
  • Datat; ka disa data të rëndësishme në ciklin jetësor të secilës prej mundësive, duke përfshirë identifikimin, afatin e realizimit, arritjen.
  • Metodat për t’i kontrolluar kursimet, përkatësisht si do ta dini që kursimet e parashikuara janë realizuar me mundësi?

Lista mund të bëhet mjaft e komplikuar, por menaxhimi i saj është me rëndësi thelbësore për përmirësimin e vazhdueshëm të SME-së suaj. Nëse regjistri mirëmbahet në mënyrë elektronike, atëherë duhet pasur kujdes për të bërë kopje dhe për ta mbrojtur nga redaktimi joadekuatë dhe i paautorizuar. Kjo vlen edhe për të gjitha dokumentet e tjera elektronike të përdorura në SME.

Të gjitha idetë që mund të kontribuojnë realisht në përmirësimin e performancave energjetike duhet të shtohen në listën e mundësive pas pasqyrës iniciale të bërë paraprakisht nga udhëheqësi energjetik. Idetë do të dalin nga burime të ndryshme:

  • Kontrollet, vlerësimet ose diagnostikimet energjetike
  • Propozimet nga punonjësit dhe shqyrtimi i ideve të suksesshme në fabrikat e tjera
  • Pjesëmarrja në konferencat, trajnimet, rrjetëzimet, etj.
  • Inxhinierët e shitjes së pajisjeve (por keni parasysh se ata nuk janë zakonisht të paanshëm dhe të pavarur)
  • Literatura, gazetat, revistat, doracakët e praktikave më të mira, faqet e internetit, kërkimet, etj.